Outloud
Në kërkim të të zhdukurve të luftës në Kosovë
Më 27 prill të këtij viti në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur në Kosovë, në përvjetorin e Masakrës së Mejës, u publikua raporti "Një proces i papërfunduar-Sfidat në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.
I hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), ndërsa i realizuar në bashkëpunim me Kosovo 2.0, raporti ka për qëllim të japë një pasqyrim më të hollësishëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur që nga përfundimi i luftës.
Mes janarit 1998 dhe dhjetorit 1999 janë vrarë ose janë zhdukur më se 13,000 njerëz gjatë luftës ose si pasojë e luftës së Kosovës. Mbi 10,000 prej tyre kanë qenë civilë. FDH-ja vlerëson se 8,693 shqiptarë, 1,196 serbë dhe 445 romë e minoritete të tjera janë vrarë në Kosovë. Në fund të luftës është vlerësuar se kanë qenë 5,500-6,000 persona të zhdukur, por ky numër është zvogëluar me kalimin e viteve, kryesisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive. Për 1.620 persona ende nuk dihet asgjë.
Duke u bazuar në hulumtime të raporteve, analizave dhe dokumenteve relevante, dhe intervista me aktorë relevantë, raporti analizon thellësisht çështjet kryesore që pengojnë gjetjen e trupave të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, sic janë mos-hapja e arkivave dhe strategjitë komplekse e fshehjes së trupave.
Në këtë podkast ne bisedojmë me Dardan Hotin, hulumtues tek Fondi për të Drejtën Humanitare dhe autor i raportit. Gjithashtu bisedojmë me Bekim Gashin, lufta e gjatë e të cilit për të kuptuar vendndodhjen e më të dashurve të tij, jetëson dhe ilustron në formën më kuptimplotë të gjitha çështje që Dardani dhe Fondi adresojnë në raport.
Gashi është i mbijetuari i masakrës së Tërnjës, ku u vranë të paktën 30 persona e prej tyre 22 ishin familjarë të tij. Është djali i Hyrës, vëllai i Blertës, Lumturisë, Selvetës dhe Luljetës. Të gjitha të zhdukura me forcë nga forcat serbe me 25 mars 1999.